Zampoli në FSHF, a po luan Duka me “dy porta”?

Më 8 shtator, i dërguari special i Presidentit të SHBA-ve për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli zhvilloi një takim të papritur me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Dy burrat pozuan duke buzëqeshur përballë pllakatës në hyrje të Federatës, e njohur si “Shtëpia e Futbollit”, ndërkohë që Zampolli veçoi me këmbëngulje me gishtin e tij tregues një emër mbi pllakë: Gianni Infantino, President i FIFA-s.

Edhe pse takimi u prezantua zyrtarisht nën petkun e “diplomacisë sportive”, agjencia BIRN bën me dije se pas tij fshihet një mision lobimi.

Përtej rolit si i dërguar i Shtëpisë së Bardhë, Zampolli është një avokat i hapur dhe i zjarrtë i Gianni Infantinos dhe gjatë vizitës së tij në Tiranë, ai kërkoi mbështetje për rizgjedhjen e tij për një mandat tjetër 4-vjeçar në krye të FIFA-s.

Vizita e Zampollit në Tiranë u zhvillua në një moment delikat për kreun e FIFA-s, i cili po përballet me tërheqje të njëpasnjëshme të mbështetjes nga federatat europiane të futbollit për shkak të një propozimi të dështuar për shitjen e të drejtave të Kupës së Botës tek një konsorcium privat.

Federata Shqiptare e Futbollit e ka tërhequr gjithashtu zyrtarisht në gusht mbështetjen e dhënë më parë për Infantinon për një mandat të ri në krye të FIFA-s.

Përfshirja e një të dërguari të Shtëpisë së Bardhë për të lobuar për kreun e FIFA-s e bën këtë vizitë kontroverse, pasi rrezikon të shkelë një nga parimet më strikte të statutit të futbollit botëror, ndalimin e ndërhyrjes së politikës shtetërore në pavarësinë e federatave.

Vetë Zampolli e përshkroi vizitën e tij në zyrat e FSHF-së me fjalët: “Diplomacia sportive ‘America First’ [Amerika e Para] në veprim”.

I pranishëm në takimin mes Zampollit dhe Dukës, Ilir Kulla, një  ish-këshilltar i lartë shtetëror dhe ekspert i sigurisë, pranoi se mandati i Infantinos kishte qenë pjesë e takimit, por shtoi se për këtë duhej të fliste kreu i FSHF-së.

“Ka një të vërtetë, por besoj që i takon Dukës,” tha Kulla përmes një mesazhi.

“Infantinon e kanë mik të përbashkët dhe është mik i Trump-it,” shtoi më tej ai.

E pyetur për lobimin e Zampollit në Shqipëri, FIFA mohoi përmes një zëdhënësi çdo përfshirje të mundshme të kreut të saj.

“Presidenti i FIFA-s nuk ka dijeni për këtë çështje dhe nuk i ka dhënë udhëzime askujt,” tha zëdhënësi.

Kreu i FSHF-së, Armando Duka ishte i paarritshëm për koment, ndërkohë që një zëdhënës i FSHF-së i tha BIRN-it se përsa i përket Infantinos, institucioni shqiptar mban të njëjtin qëndrim si qeveria europiane e futbollit: “Ne kemi qëndrim të unifikuar me UEFA-n.”

Përtej rolit si i dërguar i Shtëpisë së Bardhë, Zampolli është pozicionuar hapur përkrah Infantinos. Në një artikull të gjatë të publikuar së fundmi, “Faji i vërtetë i Gianni Infantinos: Hapja e futbollit ndaj botës”, Zampolli e mbron Infantinon si një kampion të vendeve të vogla që po lufton monopolin europian.

Në këtë material, ai argumenton se fushata kundër Infantinos është “shkëputur nga perspektiva dhe faktet” dhe thekson se faji i vërtetë i presidentit të FIFA-s është sfidimi i një ekonomie globale ku, Europa gjeneron rreth 70 për qind të të ardhurave dhe kërkon ta kthejë këtë sukses në një “mur që mbron privilegjin nga pjesa tjetër e botës”.

Zampolli është bërë edhe më herët lajm ndërkombëtar në lidhje me futbollin.

Para fillimit të Kupës së Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada që përfundoi në korrik, ai propozoi që Irani, me të cilin SHBA-të ishin në konflikt, të zëvendësohej në këtë garë nga Italia. Por  propozimi i tij u përqesh dhe u rrëzua, pasi nuk mbështetej në asnjë prej rregullave të lojës.