Alvaro Morata ia ka bërë me dije drejtuesve të Realit se dëshiron të largohet dhe se destinacioni i tij duhet të jetë stadiumi “Old Traford” në Angli. Zhoze Murinjo është padyshim i kënaqur, aq më shumë që sulmuesi spanjoll ka deklaruar se për 2 javë gjithçka duhet të jetë e përfunduar, veçse “hallet” sapo kanë filluar.
Reali i Madridit e ka hedhur poshtë ofertën e parë të Mançester Junajtidit për futbollistin 24-vjeçar, edhe pse mediat nuk thonë sesa ishte kjo ofertë. Reali kërkon 70 milionë stërlina për Moratën, që do të thotë rreth 80 milionë euro, ndërsa Junajtid shpreson që këtë shumë ta zbresë në 60 milionë stërlina, apo më pak se 70 milionë euro.
Mediat britanike shkruajnë se Murinjo beson se këtë javë mund të bëjë vizitat mjekësore me lojtarin dhe të firmosë kontratën. Morata do të ishte një përforcim shumë i mirë pasi ka shënuar 20 gola ndonëse luajti vetëm 19 herë si titullar tek Reali.
Sfidanti.al