Argjentina siguroi me shumë vështirësi kualifikimin në 1/8 e finales të Kupës së Botës, duke mposhtur Kepin e Gjelbër 3-2 pas kohës shtesë. Heroi i ndeshjes ishte Cristian “Cuti” Romero, i cili shënoi golin vendimtar me kokë në minutat e fundit.
Lionel Messi kaloi “Albiceleste”-n në avantazh me një gol spektakolar, por Kepi i Gjelbër nuk u dorëzua në asnjë moment. Afrikanët barazuan rezultatin, iu përgjigjën edhe golit të dytë të Argjentinës me një realizim fantastik të Cabral dhe e detyruan ndeshjen të zgjatej deri në minutat e fundit të kohës shtesë.
Vendimtare ishte edhe pritja e Emiliano Martinez në minutën e 115-të, i cili shmangu golin e tretë të Kepit të Gjelbër. Pak më vonë, pas një goditjeje këndi të Messi-t, Romero shënoi golin e fitores 3-2, duke i dhënë Argjentinës një kualifikim të vuajtur. Ndërkohë, Kepi i Gjelbër u eliminua me kokën lart, pas një prej paraqitjeve më mbresëlënëse të turneut.

