Krymi i jep fund aventurës me Vllazninë

Mesfushori Ardit Krymi ka njoftuar zyrtarisht largimin e tij nga Vllaznia, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm me skuadrën kuqeblu. Përmes një mesazhi drejtuar tifozëve shkodranë, ai falënderoi mbështetësit për përkrahjen ndër vite, ndërsa shprehu edhe zhgënjimin për mënyrën se si është ndjerë i trajtuar gjatë periudhës së fundit.

“Kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. Kam luajtur me zemër, me përkushtim dhe me respekt për klubin, qytetin dhe mbi të gjitha për tifozët, të cilët kanë qenë gjithmonë forca ime më e madhe”, shkruan Krymi.

Mesfushori shkodran zbulon se ka zgjedhur të heshtë për një kohë të gjatë nga respekti për klubin dhe tifozët, por thekson se nuk është ndjerë kurrë më parë kaq i pavlerësuar gjatë karrierës së tij.

“Kam duruar më shumë sesa duhet, kam respektuar vendime me të cilat nuk kam qenë dakord dhe kam vazhduar të jap maksimumin për fanellën. Nuk kam kërkuar privilegje, vetëm respektin që besoj se e kam merituar pas gjithë viteve të sakrificës dhe kontributit në futboll”, shprehet ai.

Krymi shton se heshtja e tij nuk duhet të ngatërrohet me pranimin e padrejtësive, ndërsa largohet me një peng të madh nga aventura te Vllaznia.

“Largohem me ndërgjegje të pastër, por me pengun më të madh, mosfitimin e titullit në Shkodër”, shkruan mesfushori.

Në fund të mesazhit, ai falënderoi tifozët kuqeblu për mbështetjen e vazhdueshme dhe shokët e skuadrës për vitet e kaluara së bashku.

Largimi i Ardit Krymit shënon fundin e një epoke për Vllazninë, pasi mesfushori ka qenë një nga figurat më të rëndësishme dhe më të identifikuara me fanellën kuqeblu në vitet e fundit.