Lebron Xhejms erdhi në Arenën e Oklendit i shqetësuar më shumë për fatin e familjes së tij në Ohajo, pas një veprimi kërcënues ndaj tij, sesa i tensionuar për ndeshjen e parë finale me Golden Stejtit. Gjithsesi, për ta ndihmuar kishte menduar një yll i madh, veçse jo i sportit. Në tribunë, fare pranë parketit, ishte ylli i popit, Rihana, e cila “e vodhi” qendrën e skenës. Ajo ishte e vendosur të pengonte vendasit për të fituar, dhe ndonëse nuk ia arriti qëllimit, sërish bëri shumë.
Në një moment, kur Kevin Durant po ekzekutonte gjuajtjet e lira, Rihana u ngrit në këmbë dhe ulëriti drejt tij, duke e ofenduar. Pamjet filmike të mëpasshme, bënë që mediat të spekullonin se mos Durant i hodhi vajzës nja dy vështrime të zemëruar, por vetë ylli i Golden Stejtit e hodhi poshtë këtë variant. Durant shënoi 38 pikë dhe Uorriorsi fitoi me 22 pikë epërsi ndaj Klivlendit, por Rihana pas ndeshjes u shpreh se “kjo nuk ka asnjë rëndësi, Lebron mbetet më i miri”. Xhejms nuk do të ketë pasur gjithsesi kohë për ta falenderuar, sepse ka nxituar për tek familja e tij. Një ditë para ndeshjes, dikush kishte shkruar në derën e shtëpisë së Lebronit shkronjën “N” që do të thotë “Negro”, dhe që është fjalë përbuzëse dhe kërcënuese për zezakët.
Sfidanti.al