UEFA krijon përjetësinë me “Shtëpinë e të lavdishmëve”

Federata evropiane e futbollit, UEFA, vendosi që të krijojë “Shtëpinë e të lavdishmëve”, me synimin që të nderojë lojtarët më të mirë të “kontinentit të vjetër”. “Gjatë muajve të ardhshëm, ne do të përcaktojmë të gjithë kriterët e nevojshëm. Shumë lojtarë që kanë luajtur në Evropë dhe që i mbyllën karrierat e tyre fantastike, meritojnë që të jenë në ‘Shtëpinë e të lavdishmëve’”, deklaroi presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Federata evropiane vendosi që t’i japë futbollistit italian, Françesko Toti, çmimin e presidentit të UEFA-s, në shenjë mirënjohjeje për 25 sezonet që ai ka luajtur me Romën.

Ky çmim jepet për “arritje të veçanta dhe cilësi personale” dhe ai do t’i dorëzohet Totit, në gusht, në Monako. Me rastin e dhënies së çmimit të lartpërmendur, Ceferini vuri në dukje se Françesko Toti ka pasur një karrierë fantastike, duke veçuar, sidomos, “përkushtimin dhe lojalitetin e jashtëzakonshëm” të tij. Ky çmim presidencial, deri tani, është ndarë 16 herë. Toti do të jetë midis gjigantëve të “Shtëpisë së të lavdishmëve”.

Sfidanti.al