Një skenë dramatike në “Rolan Garos”: Almagro në lot, Del Potro e ngushëllon!

Tenisti argjentinas arriti që të triumfojë, por kundërshtari i tij u detyrua që ta dorëzojë ndeshjen, për shkak të dëmtimit. Huan Martin del Potro dhe Niklas Almagro nuk e çuan dot, dje, deri në fund ndeshjen e raundit të dytë të “Rolan Garosit”. Ndeshja, në fakt, mbaroi, kur rezultati i seteve ishte 1-1, por tenisti spanjoll (Almagro) nuk mund ta vazhdonte atë, për shkak të dhimbjes së madhe në njërin nga gjunjët.

Në momentin, kur Del Potro po kryente shërbimin, Almagro e dorëzoi ndeshjen, sepse nuk mund të vazhdonte dot më tej. Del Potro shkoi dhe e përqafoi kundërshtarin e tij, ndërsa këtij të fundit i ishin mbushur sytë me lot, duke ngjallur mjaft emocione dhe duartrokitje midis të pranishmëve. Mbas ndeshjes, Del Potro i dërgoi një mesazh Almagros në twitterin e tij: “Të uroj që të shërohesh sa më shpejt. E di sesi ndjehesh”.

Sfidanti.al