“Muçi”, alibitë e Sylvinhos kanë mbaruar

Ernest Muçi vazhdon të surprizojë në Turqi ku çdo javë gjen gola me peshë dhe tashmë është transformuar në njeriun simbol të Trabzonspor. Me realizimin e fundit ndaj skuadrës së Besiktas që si për ironi ka në pronësi kartonin e sulmuesit shqiptar, bomberi i rritur te Tirana hedh një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij përtej kufinjve por lajmi i keq për të është vetëm një…vendimi për të mos ndyshuar agjentin duke “flirtuar” me nervat e drejtuesve të FSHF dhe trajnerit Sylvinho.

Lojtari kuqezi që asnjëherë nuk e ka gjetur veten me fanellën e Kombëtares, nuk u grumbullua në ndeshjet e fundit të ekipit kuqezi dhe arsyet tashmë dihen; ai nuk pranon rregullat e drejtuesve të ekipit Kombëtar që prej kohësh ka marrë formën e një ndërmarrjeje në pronësi të “partisë”. E bëri paktin e dhimbshëm Uzuni dhe përfitoi por djaloshi i talentuar tiranas po reziston dhe ndoshta kjo betejë po e bën edhe më të fortë.

Edhe nëse nuk shënon më asnjë rrjetë deri në mars, letrat për t’u rikthyer kuqezi e ndoshta titular në fushë, i ka të rregullta. E njeh mjaft mirë futbollin polka nga ku u zhvendos në Turqi dhe duhet të jetë ai njeriu simbol i Shqipërisë që duhet të lindë në Varshavë dhe me siguri tashmë nuk ka më asnjë alibi për ta snobuar. Koha punon për sulmuesin, ndoshta Sylvinho duhet ta kuptojë që as fuqitë madhore nuk mund ta pengojnë për të bërë detyrën…

Nga Pirro Bardhyli