Humbja e Partizanit në Shkodër, për rekord

Partizani është klubi i vetëm në futbollin shqiptar, që gëzon bilanc pozitiv përballë çdo rivali. Dhe që një ekip i Superiores t’i shënojë 4 apo më tepër gola, mund të shikohet si diçka e pazakontë. Pas klube si Skënderbeu, Kukësi, Luftëtari dhe Tirana në vitet e fundit, Vllaznia shtoi emrin në listë dje.

Partizani i Milinkoviç u dorëzua në shtesë, kur Olsid Ferataj akordoi penalltinë e dytë të kontestuar nga miqtë në favor të Vllaznisë. Kuqeblutë në anën tjetër përfituan nga situata e krijuar për ta mbyllur ndeshjen me fitoren 4-1.

Duhet të kthehemi 42 vite më parë, që të gjejmë fitore të Vllaznisë me këto shifra ndaj Partizanit. Ishte pikërisht data 1 maj 1983, kur regjistrohej ky rezultat që është edhe më i thelli i shkodranëve kundër “demave”. Në fund kuqeblutë fituan kampionatin, me po aq pikë sa Partizani në renditje.

Në anën tjetër, Partizani ka regjistruar rezultate më të thella ndaj Vllaznisë. Sfida rekord është më 20 qershor 1964, kur Partizani mposhti Vllazninë 8-1. Rezultati 4 me 1 në favor të kuqve ndërkohë shikohej dy vite më parë, pikërisht tek “Arena e Demave”.

sfidanti.al