Kukësi në prag të historisë, a nuk kanë bërë edhe të tjerët kështu?!

Në romanin historik “Ali Pashë Tepelena”, i ndjeri Sabri Godo përshkruan sipas mënyrës së tij momentet e fundit të vezirit të madh dhe të egër. Ato moment kur ai shkon në ishullin e Liqenit të Janinës për të biseduar me turqit, kur ndërkohë një besnik i tiji i hapte armikut dyert e kështjellës. Një tradhëti nga brenda, një rryshfet apo një premtim, dhe një problem i zgjidhur. Sa herë në historinë e njerëzimit ka ndodhur kjo? Sa herë në historinë e futbollit ka qenë kështu? Mjafton të lexosh për skandalin e FIFA-s!

Nëse i shikon të gjitha këto, kupton se skandalet e Superligës shqiptare janë gjëra vërtet normale, edhe pse sipas moralit “konvencional” nuk duken aspak të tilla. Sot mund të ndodhë akti i fundit i një serie të gjatë ndodhish që kanë ngjarë për të shpallur kampion Kukësin. Nëse do të shkohet sipas parashikimit mund të kemi një ndeshje normale me një Skënderbe të pazotin për të fituar, apo jonormale nëse korçarët do të jenë pranë fitores. Një gabim më shumë “njerëzor” i gjyqtarit mund të ndodhë dhe me shumë gjasa në favor të vendasve.

Natyrisht, kjo histori nuk fillon me Kukësin, por ka nisur që kur ka lindur futbolli në Shqipëri, dhe më parë, në botë. “Unë mbroj investimin tim”, besohet se thotë çdo president klubi kur tenton të korruptojë ndonjë arbitër apo lojtar kundërshtar.  Realiteti shpesh e hedh të ashtuquajturin moral në kosh, dhe lufta e xhunglës nuk mund të përfundojë vetëm nëse njëra palë heq dorë prej saj. Ne, të moralshmit, duhet të mësohemi të jetojmë me këtë realitet, veçse kurrë nuk do të mësohemi të heshtim përpara tij, dhe e sigurt është se një ditë vetë “të zotët e punës” do të kuptojnë se nuk është e leverdisshme të vazhdojnë kështu.

Sfidanti.al