Legjendat e vjetra, Real i Madridit dhe CSKA e Moskës, dolën të mundura nga gjysmëfinalet e Katërshes Finale të Euroligës. Përkatësisht 9 dhe 7 herë kampionët e Europës do të duhet ta shohin si spektatorë finalen që do të luhet të dielën në Arenën kryesore të Stambollit. Përballë aty do të jenë vendasit e Fenerbahçes dhe të fortët grekë të Olimpiakosit. Më herët ishin heronjtë nga Pireu që përballuan CSKA-në e madhe, kampionen ende në fuqi të Europës, duke kaluar nga humbja në fitore me shifrat e ngushta 82-78. Ishin grekë ata që siguruan fitoren, ndonëse në 3 perioda ishin rusët përpara. Legjenda Vasilis Spanulis, si dhe Jorgos Princezis e Kostas Papanikolau shënuan nga 14 pikë, dhe Vangjelis Manzaris shtoi 12. Spanulis shërbeu 6 asiste dhe të tjerët kapën shumë topa në tabela, ndërsa CSKA nuk pati ndihmë nga rusët. Vetëm Teodosiç (23 pikë) dhe De Kolo (16 pikë) nuk mjaftuan.
Trajneri i famshëm, Zheljko Obradoviç, dëshiron të shpallet edhe një herë kampion i Europës. Serbi ka fituar 8 Euroliga me 4 skuadra të ndryshme, me stë cilave me Panathinaikosin dhe Olimpiakosin. Pikërisht këtë të fundit do ta ketë përballë këtë herë. Obradoviç, që fitoi Championsin në mënyrë të papritur me Partizanin e Beogradit në 1992, shkëlqeu edhe me përfaqësuesen e Jugosllavisë si kampion i Europës në 1997 dhe kampion i botës në 1998. Tani e ka radhën Fenerbahçe të fitojë me të. Reali i Madridit u mposht 84-75 dhe turqit ishin gjatë gjithë kohës përpara, mbështetur nga gati 14 000 spektatorë në “Arenën Sinan Erdem”. Ekpe Udoh shëoi 18 pikë, Bogdan Bogdanoviç 14, Jan Veseli 12 dhe Nikola Kaliniç po 12, ndërsa për Madridin më të mirët ishin spanjolli Jul me 28 pikë dhe amerikani Xhejsi Karrol me 21. Pas finales së humbur vjet në mënyrë dramatike me CSKA-në, Fenerbahçe këtë herë kërkon trofeun.
Sfidanti.al