Që nga viti 2009, emri Liverpul ka qenë thuajse i padëgjuar në Ligën e Kampionëve. Ja pra që ndodh edhe kështu me një skuadër që ka dalë pesë herë kampione e kontinentit, veçse trajneri Jurgen Klop shpreson që kjo të ndryshojë. Që nga 2009-ta, të kuqtë kanë qenë vetëm dy herë në Champions, ndërsa këtë fundjavë ndaj Midëllsbrout kanë mundësi të regjistrohen për herë të tretë. Pak rëndësi ka që mund të jetë nëpërmjet plej ofit, për Klopin rëndësi ka të jetë Champions.
“Për shumë arsye Championsi është një garë e shkëlqyer, – tha Klopi, – mund të fitohen shumë para aty, para që ne nuk i kishim vjet. Ne jemi një klub që nuk i kemi problem paratë, por duhet menduar mirë para se të shpenzojmë dhe ne po bëjmë pikërisht këtë. Jemi Liverpuli dhe duhet të jemi aty ku na takon”. Të kuqtë e kanë në dorë fatin e vet pasi mjafton të fitojnë me Midëllsbroun në “Anfild” dhe janë të kualifikuar. Plot 55 000 tifozë do të jenë aty për t’i mbështetur.
Klop synon të hedhë hapin e parë, kualifikimin për në Champions dhe të vazhdojë projektin për ta bërë Liverpulin të madh, dhe pretendent për të fituar titujt në Angli dhe në Europë. Besohet se ai do ta forcojë skuadrën duke marër lojtarë si Van Dajk të Sauthemptonit apo Nabi Keita të Lajpcigut, që ai i pëlqen shumë.
Sfidanti.al