Kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u mbyllur Seria A dhe tifozët e Romës kanë dëshirë të shohin më shumë minuta në fushë Françeso Totin. Kapiteni besohet se është në sezonin e tij të fundit dhe një publik i tërë, ndoshta 80 mijë vetë, mund të jenë në “Olimpiko” në javën e fundit, kur Roma të luajë ndaj Xhenoas, pikërisht për të parë Totin, por trajneri Luçiano Spaleti nuk jep shumë shpresë. “Toti është një legjendë dhe do të vazhdojë të jetë, – tha ai, – e di se njerëzit shohin Romën, sepse duan të shohin atë, ai është simboli ynë, por unë duhet të marr vendime të vështira”.
“Duhet ta trajtoj Totin jo si një lojtar të madh, por si një lojtar si të tjerët, – vazhdoi Spaleti, – e di se vendimet e mia shpesh e kanë lënduar Françeskon, por së pari unë duhet të mendoj që skuadra të fitojë. Kjo është arsyeja kryesore që ndikon kur mendoj për Totin”. “Ndaj Kievos dhe Xhenoas do të vazhdojë gjithçka si deri tani”, përfundoi Spaleti. Roma është në vendin e dytë, por Napoli ndodhet fare pranë dhe nuk mund të lejohet asnjë gabim, ndryshe rrezikon kualifikimin direkt për në Champions.
Sfidanti.al