Nuk mbyllet Epoka e Spanjës, U17-ta kampione e Europës!

Fernandez, Morei, Miranda, Gijamon, Çust, Blanko, Torres dhe shumë të tjerë. Europa e të mëdhenjve do t’i mësojë shpejt këta emra, ndërsa Europa U17 i respekton që tani si kampionë të kontinentit. Kombëtarja e Spanjës nën 17 vjeç i shtoi një tjetër lavdi emrit të kombit të vet duke fituar titullin europian në stadiumin e Varazhdinit në Kroaci. Një finale shumë e vështirë ndaj Anglisë, thuajse e humbur gjatë gjithë kohës, por e fituar pas penalltive.

Hadson-Odoi i Çelsit dhe Foden kaluan dy herë në epërsi anglezët, por iberikët u përgjigjën. Herën e parë me talentin impresiv të Barcelonës, Morei, ndërsa në fund, në minutën e gjashtë shtesë, arritën barazimin e pabesueshëm me golin e Diazit. Shtesa nuk solli rrjeta, dhe tek penalltitë spanjollët u treguan mjeshtra duke fituar 4-1. Keqardhje për Anglinë, kampione e Europës në 2010 dhe 2014, por meritë e madhe e spanjollëve që besuan deri në fund.

Sfidanti.al