Silvinjo, ti shiko lojën, përrallat i kemi ..sport kombëtar!

I dashur trajneri Silvinjo, ti mendo si do të luash kundër Serbisë, mos u ngatërro me përrallën kuqezi , se ajo  nuk ka të sosur! Deklarata e tij , një ditë para ndeshjes, të bën të shesësh edhe shtëpinë për të qënë brenda në stadium.  “Kam dëgjuar se ka 800 mijë kërkesa   për ndeshjen me Serbinë dhe unë do të kisha sjellë edhe babain tim nga Brazili për ta parë këtë ndeshje, po ishte një rrugë shumë e gjatë”.

800 mijë kërkesa për bileta ! Pse s’thua : E gjithë Shqipëria që ka mbetur, do të jetë në stadium. Si e thotë  pa iu dridhur qerpiku  trajneri që na dukej i urtë, kurse presidenti i tij është më “modest” rrumballokos një shifër tjetër..300 mijë ! Sido që të jetë, edhe stadiumi madhosh  “Marakana” i Brazilit ,  sikur ta kishim marrë borxh, nuk do të na bënte punë!

Më mirë me  këtë stadium “pikolino”  që kemi, sepse  sa më i vogël stadiumi, aq më e madhe dhe e rafinuar bëhet loja me biletat. Silvinjos i paska mbetur peng  për babain e tij që po humb këtë “ndeshje të shekullit ”, por as e vret fare për baballarët tanë, të cilët  e kanë stadiumin tek dera e shtëpisë  dhe kur vjen puna për të gjetur  bileta….thonë po ky Silvinjo pse nuk e solli “Marakanën” me vete…

Sfidanti.al