Çelsi është kampion, Konte është si Murinjo dhe Ançeloti!

Titulli i pestë kampion u fitua dy javë përpara përfundimit. Në një sezon të veçantë, Çelsi përfundoi gjithçka ashtu siç pritej dhe u shpall sërish kampion i Anglisë. Fitorja 1-0 në fushën e Uest Bromit, arritur me golin e Miçu Baçuait bëri që Blutë e Londrës të shkëputeshin 10 pikë nga Totenhemi i cili ka përtë luajtur edhe 3 takime, pra nuk mundet t’i mbërrijë dot.

Antonio Konte, trajneri i Çelsit këtë edicion, u bashkua me emrat e mëparshëm që ia kishin dalë ta ngjisnin skuadrën në majë të Premier Ligës si Zhoze Murinjo (3 tituj) apo Karlo Ançeloti, pa harruar trajnerin e parë që ia doli për t’u shpallur kampion, Ted Drejk në vitin 1955.

Italiani besohet se do të vazhdojë punën në “Stemford Brixh” pavarësisht “sirenave” nga Interi, dhe do të tentojë të fitojë Ligën e Kampionëve, trofe që Blutë e kanë arritur në 2012 në mënyrë të pabesueshme në finalen ndaj Bajernit, në Mynih, me një trajner po ashtu të pamenduar. Ishte një tjetër italian, Roberto Di Mateo që mori “frenat” pas shkarkimit të Andre Vijas Boasit për t’u shpallur kampion i Europës.

Sfidanti.al