Juventusi në majë të Europës ende pa fituar Championsin!

Nuk është se ka fituar gjë. E ka thënë dhe e përsërit trajneri Alegri, por gjithsesi, në mënyrë virtuale, Juventusi ka dalë kampion momental i Europës. Skuadra italiane është ngjitur në vendin e parë të renditjes së UEFA-s për klubet, duke kaluar pikërisht atë që do të ketë përballë në Kardif, Realin e Madridit. “Rokada” ndodhi pasi Juve fitoi ndaj Monakos, dhe madrilenët u mundën në derbi, në fushën e Atletikos.

Juventusi doli e para pas golave të Manxhukiçit dhe Dani Alveshit, dhe kryesimi u konfirmua nga disfata e Realit të nesërmen. Formacioni i Alegrit është gjithsesi i vetmi ekip italian në 15 vendet e para të klasifikimit europian të klubeve, dhe kjo bën që pavarësisht suksesit të bardhezinjve, Italia të mbetet në vendin e pestë në renditjen e përgjithshme, pra duke mos qenë ende e aftë të ketë 4 skuadra në Champions edicionin e ardhshëm.

Sfidanti.al