Bajerni fiton titullin e 27-të duke luajtur “tenis” në Volfsburg!

Plot 31 ndeshje, 22 fitore dhe vetëm 2 humbje, me 79 gola të shënuar dhe veç 17 të pësuar. Me 73 pikë dhe me 10 pikë diferencë me vendin e dytë, Bajerni u shpall kampion i Gjermanisë tri javë përpara fundit të Bundesligës. Ia doli në mënyrën më të mirë dhe duke larguar nga mendja makthet e javëve të fundit, ku ndodhën dy eleminimet, ai në Champions me Realin dhe ai në Kupën e Gjermanisë ndaj Dortmundit.

Suksesi 6-0 në fushën e Volfsburgut i kënaqi të gjithë me gola. Dy herë shënoi Robert Levandovski, dhe nga një herë Alaba, Roben, Myler dhe Kimih. Afër fundit, vendasit mbetën me 10 lojtarë pasi doli me të kuqe ish-lojtari i Bajernit, Luis Gustavo. Karlo Ançeloti e fitoi “pjatën” e tij, pra trofeun e titullit kampion, dhe shpreson që sezonin e ardhshëm të ketë suksese më të mëdha. Levandovski, ndërkaq, shpreson të dalë shënuesi më i mirë i Bundesligës, dhe tani ka 28 rrjeta ndaj 27 të Obamejangut të Dortmundit.

Sfidanti.al