Etrit Berisha nuk mundet nga Juventusi, dhe pse pëson dy gola!

Përfundoi 2-2 përballja shumë e vështirë për Atalantën në javën e 34-ët të Serisë A. Me portierin Etrit Berisha titullar, skuadra nga Bergamo ndaloi në fushën e saj Juventusin në një barazim 2-2. Andrea Konti kaloi në avantazh vendasit në minutën e fundit të pjesës së parë, por kampionët dhe kryesuesit nuk u tronditën aspak.

Një autogol i Spinacolës pesë minuta më vonë solli barazpeshën dhe Dani Alvesh kaloi juventinët në epërsi në 83’. Gjithsesi, Atalanta nuk u dorëzua dhe këmbënguli duke arritur barazimin pikërisht në minutën e parafundit. Remo Frojler ishte autori i golit.

Atalanta me 64 pikë në renditje mban vendin e pestë dhe mund të shkojë në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm, me 6 pikë më shumë se Milani. Juventusi ndërkaq i prish sado pak punë vetes, pasi një fitore e Romës do të bënte që kryeqytetasit të afroheshin në 6 pikë, dhe me ndeshjen direkte në stadiumin “Olimpiko”.

Sfidanti.al