San Antonio i premton Leonardit se do të jetë më e fortë

Klivlendi dhe Golden Stejti, dy pretendentët e tjerë të mëdhenj për titull, e kaluan raundin e parë të plej ofit në NBA pa u rrëzuar në asnjë prej pengesave. San Antonios nuk i ndodhi kështu. Nëse Kavaliersët dhe Uorriorsit i mbyllën llogaritë me një 4-0 të pamëshirshëm, Spërsat nuk u treguan kaq absolutë. Ndaj Memfisit u deshën 6 ndeshje, me përballjen e fundit dhe vendimtare pikërisht në Memfis, fituar me 7 pikë diferencë, 103-96, dhe me shumë vështirësi.

San Antonio kryesoi me 2 pikë në përfundim të periodës së parë, Memfis e mbylli në epërsi 50-45 periodën e dytë, San Antonio doli 1 pikë përpara në mbyllje të së tretës dhe pati vetëm 4 pikë avantazh kur duheshin më pak se 30 sekonda deri në përfundim. Leonard, Parker dhe Olldrixh ishin, si gjithnjë, më të mirët, por besohet se do të duhet më shumë për të thyer gjigandët e vërtetë. Leonard bëri pjesën e tij me 29 pikë, 9 topa në tabela, 4 asistë dhe 3 vjedhje topash, Parker pati 27 pikë, dhe Olldrixh 17 pikë e 12 “tabela”, por trajneri Popoviç dhe vetë Leonard kërkojnë më shumë nga skuadra.

Pau Gasol, Deni Grin, Pati Mills apo edhe veterani Manu Xhinobili do të duhet të japin një kontribut më të madh kur përballë do të jenë Golden Stejti dhe Klivlendi, gjithnjë nëse San Antonio arrin deri aty. Për momentin, Spërsat do të duhet të kalojnë Hjustonin në gjysmëfinalen e Konferencës Perëndimore, ndërsa çifti tjetër i përcaktuar (veçse, në Lindje) është ai Klivlend-Toronto.

Sfidanti.al