Batha e Sukaj përmbysin Tiranën, Partizani i vetëm në krye të Superligës

Partizani e pati të vështirë, por arriti ta fitonte derbin ndaj Tiranës, luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”. Përballja e vlefshme për javën e 31-të të Superligës ishte shumë e fortë, por si shpesh herë vitet e fundit, fitues dolën të kuqtë që u shkëputën të vetëm në krye të renditjes.

Tirana kaloi e para në epërsi në ndeshjen që luhej në fushën e saj, me autor goli sulmuesin Ede në minutën e 14-të, por Partizani arriti ta mbyllte në barazim pjesën e parë. Skuadra e trajnerit Starova fitoi një 11-metërsh dhe ishte Batha që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Pas pushimit, Partizani e kërkoi më shumë golin, por e gjeti vetëm tri minuta përpara fundit. Sulmuesi Xhevahir Sukaj, i futur në lojë si zëvendësues, goditi saktë me kokë duke i dhënë ekipit të tij një fitore shumë të rëndësishme.

Tashmë, të besuarit e Starovës kanë 65 pikë ndaj 62 të Kukësit, që do të luajë nesër ndaj Laçit. Tirana, ndërkaq rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria.

Sfidanti.al