Serena Uiliams për deklaratën skandaloze të Ilia Nastases

Tenistja legjendare amerikane, Serena Uiliams, që, javën e kaluar, njoftoi për shtatzaninë e saj, e kritikoi ashpër trajnerin rumun, Ilia Nastase, që dikur ka qenë raketa nr.1 e botës, për komentet e tij raciste në adresë të fëmijës së saj të ardhshme. Nastase, 70 vjeç, i njohur për veprimet dhe deklaratat e tij skandaloze, kohët e fundit, tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, pasi vuri në dukje ndryshimin e ngjyrës së lëkurës të tenistes afro-amerikane 35-vjeçare, Serena Uiliams, dhe të bashkëshortit të saj, sipërmarrësit Aleksis Oganjan, ndërsa bëri edhe pyetjen ironike, nëse fëmija e tyre do të ketë “një ngjyrë çokolate qumështore”! “Më vjen keq që jetoj në një shoqëri, ku njerëz të tipit të Ilia Nastases bëjnë vërejtje raciste. E kam thënë disa herë dhe e përsëris se bota ka kaluar një rrugë të gjatë, por se përpara ka ende një rrugë edhe më të gjatë, por, sidoqoftë, unë nuk kam frikë, sepse unë nuk jam frikacake”, shkroi kjo sportiste e njohur amerikane në profilin e saj në Instagram.

Sfidanti.al