PSG interesohet për Bruno Fernandes

Bruno Fernandes ishte protagonist absolut te Manchester United që nga mbërritja e tij në këtë skuadër në janar 2021. Mesfushori portugez fitoi menjëherë vlerësimin, duke u konsideruar si lojtari më i mirë i “Djajve të Kuq”. Më vonë, u emërua kapiten nga Erik ten Hag në fillimin e sezonit të kaluar. Por nuk ka siguri për të ardhmen e lojtarit të ditëlindjes 1994 në “Old Trafford”. Përkundër të gjitha pritshmërive, raporton “Mirror”, Bruno Fernandes nuk konsiderohet i paprekshëm tek United. Jo aq shumë nga trajneri holandez, por nga Sir Jim Ratcliffe. Vetëm dy muaj më parë, kujton tabloidi anglez, Fernandes deklaroi:

“Klubi duhet të më dojë. Ndiej se klubi dëshiron që unë të jem pjesë e së ardhmes. Siç e kam thënë gjithmonë, nuk dua të jem një lojtar që klubi nuk dëshiron ta ketë. Nëse për ndonjë arsye ata nuk duan të më kenë, do të ik, por nëse më duan, do të qëndroj.”

Deklaratat e Bruno Fernandes erdhën me zë të lartë dhe të qartë për Manchester United. Megjithatë, siç zbulohet nga “L’Equipe”, gjigantët francezë të PSG-së e vlerësojnë shumë 29-vjeçarin portugez dhe thuhet se po përgatitin një ofertë për t’ua paraqitur drejtuesve anglezë. Operacionin e mbështet fort Luis Enrique. Ndaj, siç informon gazeta franceze, priten bisedime të afërta mes dy klubeve për Bruno Fernandes dhe fatin e tij.

 

sfidanti.al