Murinjo: “Nuk kam parandjenjë të mirë për Ibrahimoviçin”

Zhoze Murinjo nuk është optimist rreth dëmtimeve që  kanë pësuar Zllatan Ibrahimoviçi dhe Markos Roho, ndërkohë që duhen pritur kontrollet më të detajuar mjekësorë që do t’u bëhen këtyre dy lojtarëve ditët e ardhshme. Rohon e nxorën me barelë, qysh në pjesën e parë të ndeshjes së fundit, ndërsa Ibrahimoviçi, gjatë kohës shtesë të gjyqtarit, dëmtoi gjurin. Sidoqofë, shumë shpejt, do të bëhet e ditur me saktësi situata shëndetësore e këtyre dy futbollistëve.

“Na duhet që të presim rezultatet e kontrollit mjekësor të të dy lojtarëve, por parandjenja ime nuk është e mirë. Dua që të jem optimist, por e kam të vështirë”, tha Murinjo. Ibrahimoviçi është golashënuesi më i mirë i Mançester Junajtidit dhe mungesa e tij, në një të ardhme të afërt, do të përbëjë një hendikep të madh për “djajtë e kuq”. Po ashtu, edhe dëmtimi i Marko Rohos do të jetë një goditje tjetër për mbrojtjen e ManU-së, ndërkohë që të dëmtuar janë edhe Fill Xhonsi dhe Kris Smollingu.

sfidanti.al