Pak gola, emocione dhe 3 pikë për Laçin. Kjo është përmbledhja e pjesës së parë të javës së 30 të Kategorisë Superiore ku më të fituar dolën kurbinasit e Laçit që më në fund gjetën fitoren në Kategorinë Superiore, ku nuk merrte tri pikët prej 9 ndeshjesh. Ekipi kurbinas triumfoi 0-1 në fushën e Teutës, duke zhvendosur pikërisht në vendin e tetë ekipin durrsak, një rival i drejtpërdrejtë për objektivin mbijetesë. Një ndeshje e dominuar me raste nga Teuta, goditi madje traversën me Dacin, por golin e gjetën miqtë në minutën e 72-të nëpërmjet një kundërsulmi. Ëilliam Cordero Melo, e ndoqi deri në fund aksionin dhe në një pozicion të volitshëm nuk gaboi, duke e dërguar topin poshtë këmbëve të portierit. Në minutat e mbetura Teuta bëri gjithçka për të shmangur të paktën humbjen, por nuk pati qartësinë e duhur në përmbylljen e aksioneve. Rasti më flagrant ishte ai i humbur nga Gjini në minutën e tetë shtesë. Në fund festë për skuadrën kurbinase, që me këtë sukses ngjitet në kuotën e 35 pikëve, një më shumë se Teuta e tetë më pak se Dinamo e vendit të katërt, që është në zonën “final four”. Dinamo City dhe Kukësi regjistruan barazimin “vrasës” 1-1 për të dyja skuadrat pasi blutë nga kryeqyteti tashmë rrezikohen nga Skënderbeu me 3 pikë më pak në vendin e pestë ndërsa verilindorët nuk arrijnë të bëjnë një hap të madh për t’iu shkëputur fundit të klasifikimit.
sfidanti.al