Rikthime të bujshme, mungesa “big”, por dhe risi. Lista e parë e Sylvinho-s pas kualifikimin për në Evropian i kishte të gjitha. Trajneri i Kombëtares zbuloi 26 lojtarët e grumbulluar për dy takimet miqësore kundër Kilit dhe Suedisë. Ashtu siç pritej, Sylvinho riktheu në përfaqësuese dy “bomberat” kuqezi, Rey Manaj dhe Armando Broja. Risia e madhe në këtë listë është grumbullimi për herë të parë i Arbër Hoxhës, sulmuesi i cili aktivizohet te Dinamo Zagreb, por ra në sy edhe mungesa e Dakut dhe Mujës. Për të gjitha këto tema, Sylvinho është në këto momente live në konference për shtyp:
Mungesa e Dakut dhe Mujës?
Është e vërtetë që ka shumë dhimbje koke për një trajner, por kjo është e pranueshme për mua. Daku, Muja dhe Gjasula janë lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, janë në konsideratën tonë, por nuk mund të marrim me vetë 30 lojtarë. Kemi Manaj që unë e kam për herë të parë në Kombëtare, kemi Brojën që e kemi pasur vetëm një herë, por që nuk luajti dot. Është Arbër Hoxha që kemi dy muaj që e ndjekim.
Çfarë pret nga dy miqësoret kundër Kilit dhe Suedisë?
Unë jam i kënaqur me ekuilibrin e skuadrës. Shqipëria i mbylli kualifikueset në mënyrën më të shkëlqyer, ishim mbrojtja më e mirë e grupit, por ka qenë një sakrificë e gjithë ekipit. Ne nuk cilësojmë asnjë ndeshje miqësore, Kemi përballë dy ekipe shumë të forta. Kili është një ekip që e njoh shumë mirë me lojtarë si Sanchez. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Suedinë, një skuadër shumë, shumë e fortë, me elementë që luajnë në nivele shumë të larta, me ekipe si Man.City, Atalanta etj.
A janë këto dy miqësore teste për ekipin që do të grumbullojë në “Euro2024”
Janë të rëndësishme, por jo vendimtare. Unë dhe stafi im nuk harrojmë askënd, nuk e harrojmë rrugëtimin që kemi bërë. Ky është momenti që ne mund të provojmë sa më shumë lojtarë. Sot nuk mendoj për listën, ai është një shqetësim që i takon muajit maj. Tani nuk e kam mendjen te zgjedhjet, është e vërtetë që kjo është e vështirë, e di shumë mirë si një ish lojtar, por për momentin jam i përqendruar vetëm te dy sfidat e marsit, kundër Kilit dhe Suedisë. Jam i pari që do zbres në fushë, që të dielën. E rëndësishme është qe ne të ngremë nivelin tonë të lojës.
Kontrata?
Ne kemi një raport shumë të mirë me Kombëtaren. Të gjithë ne jemi të përqendruar te Evropiani, aty duhet shumë energji. Kemi një grup shumë të fortë. Kur të kthehemi nga Evropiani mund të flasim. Nuk jam aspak i shqetësuar për çështjen e kontratës.
sfidanti.al