Reali i rekordeve, 5 tituj rresht që në debutim

Reali i Madridit është i pari dhe i vetmi klub që UEFA Champions League e ka fituar për 5 edicione rresht, një rekord që vështirë se mund të thyhet në kohët e sotme edhe nga vetë skuadra “Los Blancos”. Bëhet fjalë për vitet 55-60, trofe që i siguruan ekipit mbretëror edhe një titull fisnik, më të rrallin dhe të vetmin pasi në vitin 2000 u cilësua “Klubi i Shekullit” pasi u votua në shumicë në një sondazh të iniciuar nga FIFA. Spanjollët kanë triumfuar me trajnerët Jose Villalonga (1955-57), Luis Carniglia (1957-59) dhe Miguel Munoz (1959 & 1960). Në këto vite ata arritën të fitojnë edhe dy tituj në Spanjë dhe një Kupë Interkontinentale ndërsa në organikën e grupit të bardhë bënin pjesë yje si Di Stefano, Puskas, Kopa, Gento, Santamaria dhe Del Sol. UEFA Champions Leaghue u krijua pikërisht në vitin 1955 nga Bernabeu, Bedrignan dhe Gusztav Sebes, bazuar në një propozim të bërë nga gazetari francez, Gabriel Hanot. Në sezonin e parë morën pjesë 16 skuadra, pjesa më e madhe e të cilave me ftesë ndërsa finalja e parë u luajt në majin e vitit 1956 mes Stade de Reims dhe Real Madrid në Parc des Princes. Në këto 5 sezone, Reali shënoi 112 gola.

sfidanti.al