Dita e djeshme ishte parashikuar që pas orës 12:00 të drekës të bënte një kthesë të papritur në favor të reshjeve dhe motit “dimëror” por stuhija e vërtetë na surprizoi të gjithëve sepse ajo “trokiti” pak orë më shpjet se shirat e rrëmbyer të pasdites. FSHF njoftoi fundin e marrëveshjes me kompaninë “Abissnet Superiore” duke kërkuar një sponsor të ri për të vendosur emrin e Superiores, një mall që nuk po e “martojnë” dot as me mblesëri. Njoftimi i FSHF-së ku u kërkohet bizneseve të aplikojnë, ra si rrufe në qiell të hapur.
Komunikata:
“Përmes sigurimit të së drejtës së emërtimit të kampionatit elitë në vend, organizata bëhet partnere me FSHF dhe klubet anëtare, fiton ekspozim të gjerë në mediat tradicionale (përmes emisioneve të ndryshme televizive, kronikave në edicionet informative etj.) dhe ato online, si edhe promovim në të gjithë skenën kombëtare dhe jo vetëm. FSHF dhe Liga Profesioniste e Futbollit fton të gjithë të interesuarit të paraqesin interesimin e tyre pranë Departamentit të Marketingut të Federatës Shqiptare të Futbollit. Propozimi juaj duhet të përshkruajë vizionin tuaj për partneritetin, duke theksuar përfitimet reciproke që do të sillte për të dyja palët. Shfaqja e interesit duhet të shoqërohet me detaje në lidhje me organizatën tuaj, objektivat e marketingut dhe çdo përvojë të mëparshme në sponsorizimin sportiv ose bashkëpunime të ngjashme”.
Por çfarë ndodhi me dashurinë e dyshes Duka-Kokëdhima? Ky i fundit shpesh herë ka mbajtur edhe krahun e djathtë në të ashtuquajturën Ligë Profesioniste që gjithashtu i shkri si dashuria mes të dyve dhe pas “historisë së suksesit” në bashkëpunimin mes Abissnet dhe Superiores që Teuta dhe Partizani nuk e bekuan kurrë, si pa të keq kthehet faqe pa dhënë asnjë sqarim. Askush nuk pretendon të pyesë a janë respektuar kushtet e kontratës që sapo u mbyll, por minimalisht FSHF detyrohet ta japë një përgjigje për të bërë transparencë sa për sy e faqe. A do ta bëjë një gjë të tillë? Absolutisht nuk ka për të ndodhur një gjë e tillë sepse topi është i institucionit “kështjellë” dhe penalltinë do ta gjuyjë vetëm “padishahu”.
Nga Pirro Bardhyli