Legjonarët, debutim pozitiv për Muçin dhe Mujën

Arbnor Muja dhe Ernest Muçi kanë nisur aventurën e tyre në kampionatin turk. Pasi kompletuan transferimin në ditën e fundit të merkatos, dy lojtarët kuqezi kanë bërë këtë të hënë debutimin e tyre në fushën e lojës. Muja e ka nisur nga stoli ndeshjen e parë, të cilën skuadra e tij, Samsunspor e ka luajtur në shtëpi përballë Antalyaspor. Është aktivizuar në minutën e 69-të në vend të Olivier Ntcham dhe ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në fund të takimit, një debutim me gol.

Ndërkohë, Ernest Muçi e ka nisur si titullar ndeshjen e tij të parë me Beshiktash duke luajtur për 90 minuta në barazimin 0-0, që skuadra e tij ka arritur në transfertë përballë Kayserispor. Pas ndeshjes, trajneri i Beshiktashit, Fernando Santos ka deklaruar: “Duhet të ndryshojmë disa gjëra duke punuar shumë. Ne kishim vështirësi të bënim një sulm të organizuar, nuk ishim produktivë në sulm”.

sfidanti.al