Prapaskena, Jose Mourinho u ndie i tradhëtuar nga skuadra

Një prapaskenë shumë interesante është zbuluar nga e përditshmja italiane “Il Messagiero” në lidhje me largimin e Jose Mourinhos nga stoli i Romës. Shkarkimi e ka zhgënjyer trajnerin portugez i cili nuk ka gëlltitur dot as sjelljen e lojtarëve gjatë momenteve të vështira në krye të stolit verdhekuq. Sipas gazetës në fjalë, i hidhëruar pas vendimit të familjes Friedkin për ta shkarkuar, Mourinho mësoi që presidenti amerikan kishte marrë edhe mendimin e senatorëve të skuadrës të cilët kishin ndezur dritën jeshile. Pasi mësoi për këtë gjë, ai thirri kapitenin Pellegrini dhe i dorëzoi unazën që vetë skuadra i kishte dhuruar pas fitores së Conference League në Tiranë gjatë muajit maj të vitit 2022. “Kur të bëheni burra ma riktheni”, mesohet t’i ketë thënë “Special One” kapitenit Pellegrini edhe pse ky i fundit tentoi ta bindte që skuadra nuk ka gisht në shkarkimin e tij nga stoli i Romës. Për momentin nuk ka pasur asnjë sqarim mes palëve dhe sipas të gjitha gjasave, vetëm koha mund të hedhë dritë mbi palën që në këtë mes ka të drejtën në anën e saj.

sfidanti.al