Sot në Kishinjev, Shqipëria do të kërkojë të përsërisë Jerevanin e vitit 2015 por që nga ajo kohë e largët shumë gjëra kanë ndryshuar e vetëm Gjimshiti ka ngelur i vetëm në atë avion që riktheu skuadrën në Tiranë. Mbrojtësi i Atalantës që pak muaj më vonë u la jashtë listës së trajnerit De Biasi në mënyrë të pakuptueshme, është sot lideri i skuadrës së drejtuar nga Sylvinho dhe njeriu tek i cili braziliani beson verbërisht. Vetë shtatlarti nga Presheva deklaroi se Shqipëria nuk i ka asnjë borxh edhe pse presidenti jetëgjatë i FSHF-së na kërkoi t’i “faleshim” për atë gabim që bëri De Biasi.
Shqiptarët në atë rast nuk u pajtuan në masë me teknikun italian por ndoshta rrethanat ishin të tilla dhe Armand Duka me vështirësi mund t’i kuptojë sot qartësisht nën avujt e dehjes që i jep arritja e Sylvinho-s. Ai kërkoi t’u ngarkonte shqiptarëve ndjenjën e fajit për mungesën e Gjimshitit kur ky i fundit e korrigjoi me një diplomaci të jashtëzakonshme duke evituar edhe ndonjë keqëkuptim që gjithsesi kreu i palëkundur i FSHF-së do ta kishte kaluar me humor.
Pra, ne shqiptarët sot duhet të mbështesim Kombëtaren pa asnjë rezervë në fushën e lojës dhe sa të mundemi në ato 90 minuta të shenjta të Moldavisë edhe pse më pas festa do të drejtohet nga orkestruesi-president që me siguri do ta mbyllë skuadrën në “flluskën e fildishtë” për ta reklamuar me krenari përpara politikës dhe VIP-ave të rastit që e vizitojnë stadiumin për ndonjë gotë vere në restorantet e shtrenjta ose në ndeshje si ajo me Çekinë apo Poloninë.
Nga Pirro Bardhyli