Kombëtarja nis punën me disa mungesa

Kombëtarja Shqiptare ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë, e planifikuar për të enjten në mbrëmje, një sfidë mjaft e rëndësishme në rrugëtimin e kuqezinjve drejt Euro 2024-ës. Trajneri Sylvinho nxori një listë me 25 futbollistë të ftuar për këtë takim, teksa në Shtëpinë e Futbollit kanë mbërritur deri tani 21 prej tyre, të cilët ishin edhe në dispozicion të stafit teknik në stërvitjen e parë.

Mungonte Ardjan Ismajli, që u konfirmua zyrtarisht se nuk do të vijë për shkak të një dëmtimi, por edhe Klaus Gjasula, i cili ka një infeksion në bajame dhe me shumë gjasa do t’u shtohet mungesave të kuqezinjve për sfidën e të enjtes.

Nga ana tjetër, Mirlind Daku mbërriti vetëm këtë pasdite në Rinas, ndërsa Myrto Uzuni, i cili luajti mbrëmjen e të dielës ndaj Barcelonës, do të mbërrijë në orët e vona të të hënës në grumbullim. Skuadra u nda në dy grupe, me lojtarët që kanë luajtur të premte e të shtunë, që morën ngarkesë të plotë dhe ata që kanë luajtur të dielën, me një shkrydhje të lehtë dhe punë në palestër. Në këto kushte, e marta do të jetë seanca e parë me grupin e plotë për Sylvinhon, që do të kryejë vetëm tre seanca në total, deri në ndeshjen e të enjtes në mbrëmje ndaj Çekisë, një sfidë ku Shqipëria do të kërkojë fitoren, për të vënë një këmbë në Euro 2024.

sfidanti.al