Sulmuesit nuk shënojnë dot kur “shënon” Prokuroria, por e bën Vangjeli!

Skënderbeu do të shkojë në Durrës me një avantazh të vogël, por të rëndësishëm, për ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Kampionët mposhtën 1-0 Teutën me një gol shënuar në mënyrë shembullore nga mbrojtësi Kristi Vangjeli kur duheshin edhe 4 minuta deri në përfundim. Lehtësim jo i vogël për trajnerin Ilir Daja të vënë nën presion së fundmi, ndërsa ka dhimbje koke për Gugash Maganin që duhet të përmbysë një nga rezultatet më të vështirë me eleminim direkt.

Gjithsesi, fitorja nuk ishte e lehtë, jo vetëm për shkak të kundërshtarit, por edhe për rrethanat e krijuara pasi dje paradite doli lajmi se Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar fletë-thirrje për tre futbollistë bardhekuq, madje ndër më të rëndësishmit si kapitenin dhe portierin Orges Shehi, mbrojtësin nga Kosova, Bajram Jashanica, dhe mbrojtësin kroat, Marko Radash. Ata do të paraqiten për të dëshmuar javën e ardhshme.

Korçarët, natyrshëm, luajtën më mirë duke qenë në fushën e tyre, veçse spektakli u zbeh jo pak nga mungesa e tifozëve në stadium, pas dënimit të dhënë nga Disiplina në FSHF. Vangjeli, ish-mbrojtës i kombëtares, bëri atë që nuk arritën ta bënin lojtarët ofensivë si vetë Salihi, Xhejms, Latifi, Muzaka apo Ogunjimi. Skënderbeu shpreson që ky sukses t’i japë moral edhe për ndeshjen e së dielës në Vlorë për Superligën.

B.Kuka