“ Moj UEFA, moj zuzare, si nuk u bëre pak shqiptare”. Rapsodi i futbolli ka filluar të ndeshkojë të huajt që na tradhëtuan edhe njëherë, kur i madh e i vogël ishte bindur, madje vinin edhe baste, se presidenti ynë do të zaptonte një karrige në majën e futbollit europian. E dinim që futbolli i fushës prostituon, sa nuk mund t’i gjëndet karari disa ndeshjeve, por si mund të besohet që një fitues “i madh” si presidenti Duka, një udhëheqës që nuk i shpëtonte edhe një votë kundër në Asambletë e vendit të tij, të kundërshtohet, madje të tradhëtohet nga votuesit ndërkombëtarë, që e kishin dribluar me finten gjumëndjellëse “ Je fitues, ke bërë aq sa për të qënë brenda”. Shqipëria e tij, ajo e ekipit Kombëtar, ka një lëkurë të rregjur me humbje, por kurrsesi presidenti, fituesi “i përjetëshëm”në këto 16 vite , të përjetohet si humbës. Qoftë edhe humbës nderi, siç ngushëllohet rëndom. Një humbje, që ndryshe nga ndeshjet e humbura pa lavdi të ekipit Kombëtar, të cilave nuk u gjënden as rrënjët, kjo do të kalojë në skaner derisa të gjendet pjesa tumorale. Në FSHF, ku “tifozët” ishin bërë gati të hidhnin fishekzjarre pa u gjobitur si ata të stadiumit në Palermo, kanë filluar të ndajnë fajin me njëri- tjetrin, për të treguar se i madhi nuk është i zoti të humbasë, pa u tradhëtuar nga të tjerët. Tradhëti globale, brënda familjes dhe jashtë ..shtëpisë!
Ishim mësuar me humbje në fushë, për të cilat thonë se na i kërkon trupi, por është shumë e rëndë që të mbash mbi shpatulla humbjen në votime. Kjo ka qënë loja më e shkëlqyer në tërë këto vite. Me këtë lloj loje, ka ndritur aq shumë udhëheqësi i futbollit, sa u ngjizëm me iluzionin se në votime jemi më të fortë se sa kur luajmë me top. Ndaj, të gjithë e besonim verbërisht të fituar garën për në Komitet Ekzektuiv , sepse në lojën e votave në Asambletë tona e kishim pagëzuar “Leo Mesi” , gjeniu që xhonglon me votën, edhe më bukur se argjentinasi me topin. Një protagonizëm i skajshëm, tepër i kontrolluar, sa tani, pas humbjes flakëruese të fronit në Europë, mund të qortohet sepse ky stil na vuri në gjumë. Pikërisht,ajo dora shqiptare me allçi, e cila ka mbajtur pa u lodhur kartonin jeshil. Në UEFA, të cilën tani do ta fillojmë ta quajmë me përkëdheli “lavire” si në kohën e dronit, janë shumë më të rafinuar se ne. Madje janë skile që nuk të thonë për etikë se shqiptari duhet të zgjidhë problemet e shtëpisë së tij, para se të ngjitet në fatet e lojës së Kontinentit.
Gëzim Sinemati
(Botuar në gazeten Panorama Sport)