Florentino Perez i përgjigjet si një zotëri i vërtetë Zherar Pikes

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, iu përgjigj me një stil të lartë mbrojtësit të Barcelonës, Zherar Pike, pasi ky i fundit e akuzoi ekipin “mbretëror” se përdor metoda të ulta dhe se është ky klub që qëndron mbas proceseve gjyqësore kundër Mesit dhe Nejmarit. Futbollisti i mësipërm i Barcelonës tha se “janë ata që rrinë ulur në lozhën e ‘Santago Bernabeut’ që tërheqin të gjithë litarët”.

“Mua nuk më pëlqejnë vlerat që përcjell klubi i Realit. Nuk kam asgjë me lojtarët, pasi me me shumicën e tyre jam mik. Nuk më plëlqejnë mënyrat sesi ata që rrinë ulur në lozhën e ‘Santiago Bernabeut’ i tërheqin litarët e aferave që ata sajojnë. Njerëzit që akuzojnë Mesin dhe Nejmarin, mbajnë një qëndrim të ndryshëm ndaj Ronaldos”, tha Pike, duke shtuar se “të gjithë ne e dimë se cfarë bëhet në atë lozhë, gjithnjë kështu ka qenë”.

Ndaj deklaratës së lartpërmendur të Pikes reagoi presidenti madridas, Florentino Perez, që u përgjigj si një zotëri i vërtetë, por pa e përmendur Piken me emër. “Mirëse erdhët në vendin, ku vlerat sportive janë të rëndësishme. Ne kemi ekipe futbolli dhe basketbolli që kanë fituar 20 tituj në Evropë. Pikërisht, për këtë arsye, klubin tonë e respektojnë në të gjithë botën. Ky është një klub, ku rëndësi kanë vetëm sfidat, pasioni dhe topi. Pasi ne kemi fituar Supërkupën evropiane dhe konkurrimin botëror mes klubeve, të gjithë madridasit presin me padurim të madh sfidat e tjera. Në klubin tonë, vlerësohen parime të tillë si shpirti luftarak, lufta deri në fund, modestia, respekti dhe besimi se çdo fitore na çon neve drejt triumfit të madh të radhës”, tha Perezi.

sfidanti.al