Daliç: Fitore e kombit tonë, Kroacia arrin atë që duket e pamundur!

Ky ekip nuk di të ndalet. Pas triumfit në Kupën e Botës në Rusi në 2018, ku arriti deri në finale, e pasi mori medaljen e bronzit në Botërorin e Katarit dimrin e kaluar, Kroacia nuk dëshiron të thotë “mjaft”. Skuadra më e madhe që ka parë ndonjëherë Ballkani, dhe një nga më të mirat e Europës, arriti një triumf të madh në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, duke eliminuar Holandën brenda në Holandë. Përballja në stadiumin “De Kaip” të Roterdamit ishte për t’u mbajtur mend, me emocione të forta e me përmbysje, veçse në fund fituan të besuarit e trajnerit Zllatko Daliç.

Andrej Kramariç me penallti, Mario Pashaliç, Bruno Petkoviç dhe Luka Modriç me penallti ishin autorët e golave, ndonëse holandezët kryesuan 1-0, dhe barazuan 2-2 në sekondat e fundit të kohës së rregullt. Në kohën shtesë, heroi ishte Petkoviç, që shënoi gol dhe fitoi penallti.

“Kjo është fitore e kombit kroat, – tha ai, – Ju e patë sesi luftuan lojtarët, sesi vrapuan, sesi luajtën. Të mundësh 4-2 Holandën para tifozëve të saj është një krenari. Tifozët tanë ishin të jashtëzakonshëm, u heqim kapelen të gjithëve. Përgëzime të gjithëve. Kroacia ka medalje bronzi, Kroacia ka edhe medalje argjendi. Kroacia realizon atë që duket e pamundur, që duket jo reale”. Kroacia nuk pritet të jetë favorite në finale ndaj Spanjës ose Italisë, por kjo nuk e shqetëson aspak kombëtaren ballkanase, as tifozët e saj dhe as trajnerin Daliç.

Sfidanti.al