Skenat ishin krejt të ndryshme në vende të ndryshme. Në një krah, Sevilja dhe tifozët e saj festuan fitimin e trofeut të shtatë dhe rekord të Ligës së Europës, ndërsa në anën tjetër njëri nga protagonistët e finales e pa veten pisk. Arbitri që ndau drejtësinë në sfidën e Budapestit ndaj Romës, anglezi Entoni Tejlër, u rrethua nga tifozët e Romës, ndërsa ndodhej në aeroportin e Budapestit, rrugës për në shtëpi. Ishin me dhjetëra tifozë italianë që e vunë në mes anglezin, duke kënduar koret pro ekipit të tyre, duke e talluar e duke e ngacmuar. Për Tejlërin ishte e vështirë të çante rrugën drejt derës së aeroportit ku do të vazhdonte për të përfunduar procedurat e për të hipur në aeroplan. U desh ndërhyrja e policisë hungareze, që vonoi jo pak, por rreth 30 sekonda, që Tejlëri të mund të dilte nga situata e vështirë.
Ky shfrim i përkrahësve të skuadrës italiane erdhi pas akuzave të ashpra që trajneri i tyre, Zhoze Murinjo, bëri ndaj arbitrit anglez për mënyrën sesi drejtoi finalen e Ligës së Europës. Murinjo arriti deri aty saqë t’i zinte pritë Tejlërit në parkimin e stadiumit “Ferenc Pushkash” për t’u përballur me të dhe për t’i thënë disa fjalë të ashpra. Sevilja doli fituese në sfidën e Budapestit, pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa 120 minuta lojë bashkë me shtesat përfunduan në barazim 1-1. Ky ishte trofeu i shtatë për spanjollët në këtë konkurrim në 17 vitet e fundit, një rekord me distancë nga rivalët e tjerë.
Sfidanti.al