Karim Benzema refuzon 400 milionë eurot: Do të qendroj tek Reali!

Të paktën, jo kur ke mundësi të luash për skuadrën e futbollit më të madhe në Europë dhe në Botë. Karim Benzema nuk ka ndërmend të largohet nga Reali i Madridit, të paktën jo këtë verë, ndërsa flitet për një ofertë të jashtëzakonshme nga Arabia Saudite. Vetë sulmuesi veteran francez, një nga legjendat më të mëdha të klubit spanjoll, i ka hedhur poshtë zërat për një transferim të mundshëm në Lindjen e Mesme, ndërsa planet janë që ai të vazhdojë në “Santiago Bernabeu” edhe për sezonin e ardhshëm. Më tej në 2024, Reali mund të synojë Kilian Mbapenë ose Erling Halandin. A do të qendrosh tek Reali i Madridit, ishte pyetja që një fëmijë i bëri Benzemasë në ceremoninë e çmimeve të gazetës “Marka”.

“Po, për momentin jam këtu, – tha ai, – Kënaqem çdo ditë, stërvitem mirë, dhe kemi një ndeshje këtë të shtunë. Përse duhet të flas për të ardhmen time, kur jam në Madrid? Ata që flasin janë në internet. Realiteti nuk është interneti”. Benzema luan prej 14 vitesh me Realin e Madridit dhe është shënuesi i dytë më i mirë i ekipit për të gjitha kohët, pas Kristiano Ronaldos. Ai ka fituar gjithçka në “Bernabeu”, përfshi pesë Champions dhe 4 tituj në Spanjë. Po ashtu, vitin e kaluar, Karim Benzema fitoi Topin e Artë të “Frans futbollit” si lojtari më i mirë i botës.

Sfidanti.al