Partizani shpallet kampion, “filmi” i Superligës nuk i zhgënjen kurrë parashikimet!

Me gjasë, një pjesë e tifozëve ende nuk e besojnë. Partizani u shpall kampion i Shqipërisë në futbollin e djemve, në një triumf që dukej tepër i largët vetëm pak ditë më parë. Konfirmimi erdhi me fitoren 2-1 ndaj Teutës në “Arenën e Demave”, pra në stadiumin e të kuqve, duke bërë të pavlefshme fitoren po 2-1 të Tiranës në Durrës kundër Erzenit. Gjithsesi, gjithë kjo festë për rikthimin e titullit nuk do të kishte ndodhur nëse ish-kampionët bardheblu nuk do të ishin ndalur në barazimin 2-2 në Rrogozhinë me Bylisin, falë një penalltie që vazhdon të diskutohet edhe tani. Kampionati numër 17 në histori u mor me golat e shënuar nga Amarildo Rrapaj e Tedi Cara, ndërsa portieri Rexhepi priti penalltinë e gjuajtur nga Kallaku. Të kuqtë shpallen kampionë për herë të parë që nga viti 2019, dhe për herë të tretë në 30 vitet e fundit, ndërsa Xhovani Kolela u bë i pari trajner italian që fiton këtë trofe në Shqipëri. Rezultati në “Arenën e Demave” dënoi Teutën që mbeti jashtë kupave të Europës.

Tirana e bëri detyrën, edhe ajo duke bërë që konkurrenca këtë sezon të ishte në maksimumin e mundshëm. Bardheblutë fituan 2-1 në “Niko Dovana” ndaj shijakasve, dhe e përfunduan kampionatin me 67 pikë, po aq sa Partizani, madje me golaverazh më të mirë, por titullin e humbën për shkak të rezultateve direkte në derbi. Haxhiu dhe Abazaj ishin autorët e golave. Erzeni barazoi përkohësisht me Ademin, dhe e përfundoi kampionatin në vendin e tretë nga fundi, pra do të luajë plej ofin ndaj Korabit për mbijetesë në Superligë. Në Ligën e Konferencës, përveç Tiranës, do të luajnë edhe Egnatia me Vllazninë, që fitoi 2-1 në Ballsh ndaj Bylisit. Ky rezultat bëri që mallakastriotët të zbresin në Kategorinë e Parë, ashtu si Kastrioti që u mund 0-3 nga Laçi në Kurbin. Shkodranët përfitojnë nga rregulli i UEFA-s, sipas të cilit fituesi i Kupës ia lë kualifikimin automatikisht vendit të katërt. Në finalen e Kupës së Shqipërisë janë pikërisht Tirana dhe Egnatia.

Sfidanti.al