Kridens Meta i Rrogozhinës na kujtoi ç’hoqi Flamurtari në 2011, Partizani në 2016 dhe Skënderbeu në 2017!

Historitë e “mishit të ngordhur”, të “nderit të falur” dhe të “shoqërisë së dhëndrit” nuk kanë të mbaruar në këtë vend. Një tjetër sezon po shkon drejt një përfundimi që e kishin parashikuar edhe ata që nuk merren aspak me prognoza të futbollit e të sportit në përgjithësi. Jo vetëm ne si gazetarë, por edhe “I madh e i vogël” kishte pasur refren në vesh fjalinë se “titullin e merr Partizani”. Pa dashur t’i hyjmë në hak kujt, në këtë rast personalisht besoj shprehjen “ku ka zë, s’është pa gjë”, dhe penalltia që u dha kundër Tiranës sot në Rrogozhinë (bashkë me atë që nuk iu dha në derbi) “çuan ujë” pikërisht në drejtimin që pritej.

Aq e vërtetë është kjo saqë edhe vetë tifozët e Tiranës, edhe ata më të zjarrtit, herë pas here, dëshpëroheshin duke kujtuar pikërisht refrenin e sezonit, ndërsa tek të kuqtë qetësia ishte “olimpike”. Ngjarjet e Rrogozhinës, me barazimin 2-2 të Tiranës me Bylisin, dhe me hyrjen në fushë të dhjetëra tifozëve për të rrahur arbitrin Kridens Meta, na kujtuan se çfarë i ndodhi Flamurtarit në sezonin 2010-2011 kur titullin ia dhanë Skënderbeut, çfarë hoqi Partizani në 2015-2016 kur titullin ia dhanë sërish korçarëve, si qëlloi në 2017 kur Kukësi mori kampionatin me ndeshjen skandaloze ndaj Skënderbeut, për të cilin u pendua tani vonë Enea Jorgji. Tashmë, në listë do të shtohet ky edicion ku Tirana po heq në kurriz që titulli t’i jepet Partizanit. Duhet një analizë për të gjetur se përse ndodh kështu, por besohet se mjafton të thuhet se Federatës i intereson që klubet të jenë të varfër, dhe kështu e ka më të lehtë të krijohet sezoni i parashikueshëm.

Sfidanti.al