Superliga, Tirana fiton në Laç dhe është edhe më pranë titullit!

Nuk ndryshoi asgjë në garën për trofeun, ndonëse kryesuesit janë më afër triumfit. Tirana fitoi 3-1 në Laç duke ruajtur diferencën prej 2 pikësh me Partizanin ndjekës, që mposhti 2-1 Vllazninë në kryeqytet. Tiranasit e merituan suksesin duke qenë më konkretë, falë edhe të cilësisë më të lartë të lojtarëve. Hasani, sulmuesi i sezonit, i hapi rrugë fitores me një gol mjaft të bukur, i cili u ndoq nga të tjerët pas pushimit. Duke kontrolluar lojën, kampionët në fuqi zgjidhën gjithçka që nga minuta e 65-të deri në të 72-ën, pra duke goditur shpejt e shpejt me anë të Hilës, që realizoi dy herë. Nuk pati vlerë goli i Guindos, përveçse individuale, ndërsa Laçi është në një pozicion të çuditshëm, edhe duke pasur shpresë për Europën, por edhe duke rrezikuar kategorinë.

Partizani gjithashtu fitoi dhe nuk i humbi shpresat, ndonëse suksesi i të kuqve nuk ishte kaq spektakolar. Pavarësisht se dominoi plotësisht pjesën e parë ndaj Vllaznisë në stadiumin e tij, ekipi i trajnerit Xhovani Kolela e uli ndjeshëm ritmin pas pushimit. Në “Arenën e Demave” shënuan Rrapaj e Sota, veçse shpejt ishte Balaj që rihapi llogaritë për shkodranët. Më pas, pati frikë për tifozët vendas që nuk ishin të shumtë, sepse Vllaznia krijoi disa raste në portën e Rexhepit, por për fat nuk shënoi dot.

Teuta ndërkaq mundi 1-0 Kastriotin duke qenë më pranë zonës europiane, e duke i lënë krutanët në vendin e fundit, dhe thuajse të dënuar me rënien nga kategoria. Kukësi, nga ana tjetër, mori një pikë tepër të rëndësishme në fushën e Bylisit me barazimin 1-1 në një duel direkt për mbijetesën, ndërsa Egnatia u shkëput në vend të tretë me suksesin 3-2 kundër Erzenit, dhe shijakasit gjithashtu rrezikojnë seriozisht Superligën. Tirana kryeson me 63 pikë, ndërsa Partizani e ndjek me 61 kur mbeten edhe dy javë deri në fund të sezonit.

Sfidanti.al