Tirana-Partizani, derbi del barazim dhe fati i titullit mbetet mister!

U tha e u fol shumë, madje u prit rezultat tjetër. Një lloj dakordësie e përgjithshme në opinion ishte që Partizani do ta fitonte derbin, ndonëse nuk thuhej qartë se përse, ndërsa përfundimi në “Arenën Air Albania” ishte barazim. U mbyll 1-1 një përballje tepër e ashpër, që pati raste për të dyja skuadrat, që pati nerva e kartonë, por edhe probleme me tifozët që nisën që pa filluar sfida, e vazhduan me fishekzjarrë gjatë saj. Pavarësisht se derbi nuk pati fitues, sërish ishte Tirana ajo që doli me më shumë përfitim pasi hoqi qafe një duel tepër të rrezikshëm dhe ruajti diferencën prej dy pikësh ndaj Partizani.

Nëse nuk bën gabime në tri javët e mbetura, ekipi bardheblu do t’ia arrinte që të mbronte titullin e Abisnet Superligës të fituar vjet. Ka shumë interes për të parë se çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit. Golat erdhën pas pushimit, dhe ishte Partizani që goditi i pari me anë të sulmuesit Da Silva, ndërsa Deliu barazoi shumë bukur për kampionët në fuqi të vendit. Ekipi i trajnerit Orges Shehi kërkoi edhe penallti, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari Kreshnik Cjapi, dhe po ashtu as VAR-i. Pas këtij barazimi 1-1, Tirana mban kreun e Superligës me 60 pikë ndaj 58 të Partizanit, ndërsa do të luhen edhe nga tri ndeshje për secilin ekip.

Sfidanti.al