Një kampionat i paqartë, u bë edhe më i mjegullt pas ndeshjeve të javës së 33-të. Në katër sfida gjithsej, u arritën tri fitore të vendasve dhe një e miqve. Vllaznia mori një sukses të rëndësishëm për Europën, që i vlen sidomos pas eliminimit nga Kupa. Një gol i Çobës që në fillim i dha fitoren minimale 1-0 ndaj Teutës, në sfidën e luajtur në “Loro Boriçi”. Durrsakët e trajnerit Edi Martini janë në mesin e tabelës, dhe mundet ende të pretendojnë për Europën, por edhe të rrezikojnë Superligën. Shkodranët janë në vendin e katërt me 46 pikë, vetëm tri pikë poshtë Egnatias, që këtë herë pësoi humbje.
Rrogozhinasit ndoshta ishin disi të ngopur pas kualifikimit në finalen e Kupës, në të cilën do të luajnë ndaj Tiranës, dhe u dorëzuan në sfidën ndaj Kastriotit. Krutanët fituan gjithashtu me shifrat më të ngushta të mundshme, 1-0, me golin e realizuar nga Greca 10 minuta para fundit. Suksesi ndihmon Kastriotin që të ketë shpresa, pasi matematikisht jo vetëm që mund të arrijë zonën e plej ofit, por edhe që të shpëtojë. Ekipi krutan ka 35 pikë, ndaj 36 të Bylisit, 39 të Erzenit dhe 40 të Kukësit.
Edhe Bylis arriti fitore, madje në një sfidë direkte për mbijetesë në fushën e Erzenit. Ndeshja u luajt në “Niko Dovana” të Durrësit dhe përfundoi 2-1 për miqtë. Suksesin më të thellë e pati Kukësi që mundi 3-0 në shtëpi Laçin, duke i dhënë shpresë vetes për të qenë sërish në Superligë, e duke ndërlikuar pozitat e kurbinasve që pretendojnë kupat kontinentale.
Sfidanti.al