Ora vendimtare ka ardhur. Nuk ka ditë tjetër përveç kësaj të marte për të përcaktuar finalistin e parë të Championsit, që do të dalë nga një derbi që pritet i jashtëzakonshëm. Interi pret Milanin në stadiumin “San Siro”, aty ku gati një javë më parë fitoi 2-0 gjysmëfinalen e parë, dhe hodhi një hap të madh drejt Stambollit. Gjithsesi, edhe pse ka një epërsi të ndjeshme, edhe pse do të ketë në krah shumicën dërrmuese të 75 000 tifozëve, sërish interistët e dinë se asgjë nuk ka përfunduar. Zikaltërve u mungon sërish mbrojtësi Shkriniar, e Korrea është në dyshim. Tekniku interist pritet të luajë me dyshen Xheko-Lautaro, dhe me Lukakun që duhet ta nisë sfidën nga stoli, ndërsa është i sigurt për atmosferën në “San Siro”.
“Për tifozët tanë nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim, sepse kanë qenë me ne në çdo moment, edhe në çastet e vështira, – thotë Inzagi, – Duhet të ruajmë gjakftohtësinë, dhe të luajmë me zemër të madhe. Është e vetmja mënyrë për të luajtur ndeshje si kjo ndaj Milanit. Ky sukses vlen shumë për ne, për klubin dhe për tifozët. E dimë se kemi një avantazh të merituar, por gjithashtu e dimë se nuk duhet të bëjmë llogari, por duhet të luajmë si gjithmonë, duke e ditur se përballë do të kemi një skuadër me shumë cilësi”.
Lajmi më i madh për Milanin është kthimi në ekip i sulmuesit kryesor, Rafael Leao, që pritet në formacion. Benaser nuk luan, por ka shpresë për Kruniçin dhe Mesiasin. Trajneri Stefano Pioli, e ka të qartë vështirësinë e përballjes, por i takon të tregohet optimist, dhe me gjasë vërtet beson se skuadra e tij mund t’i përmbysë shifrat 0-2.
“Po përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, – tha tekniku, – Kemi vendosmëri dhe përqëndrim të madh për të qenë më mirë sesa në ndeshjen e kaluar dhe për të përmbysur rezultatin. Leao është më mirë. Nëse shkon gjithçka sipas programit, do të jetë në fushë bashkë me të tjerët. Mrekullitë mund të ndodhin. Mund të kualifikohemi për në finalen e Championsit, që askush nuk do ta kishte parashikuar apo menduar, dhe ende askush nuk mendon se mund të arrijmë në finale”. Interi padyshim që cilësohet favorit, por gjithsesi asnjëherë nuk mund të nxirret jashtë llogarive një skuadër si Milani që është 7 herë kampione e Europës.
Sfidanti.al