Ethet e stadiumeve modernë, futbolli shqiptar po gjen “Eldoradon” e vet

Meqenëse prej kohësh jetojmë në një oaz paradoksesh, tashmë jo vetëm që nuk na bën më përshtypje asgjë nga ato që na servirin, por në të kundërt, përgjithësisht entuziazmohemi. Së fundmi i  ka zënë të gjithë njerëzit e rëndësishëm të politikës dhe sportit ethet e ndërtimit të stadiumeve, duke na shfaqur në 3D projekte spektakolare. Në Korçë do të kemi një stadium modern, së bashku me një kompleks të tërë stërvitor, si dhe një aeroport sportiv dhe mesa kuptuam, ky nuk do të jetë vetëm një projekt i qeverisë, por edhe i Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti Duka u shfaq i lumtur në krah të kryeministrit dhe e quajti një ditë historike projektimin e stadiumit të ri që pritet të ndërtohet, por nuk e përmendi asnjëherë faktin, që për t’i bërë korçarët ta mbushin impiantin e projektuesve danez, u duhet një amnisti për Skënderbeun, skuadrës së futbollit të qytetit, e cila vazhdon të vuajë dënimin epik të UEFA-s. Kështu që deri sa të ndodhë kjo, nëse vërtetë do të ndodhë një ditë, stadiumi modern do të mbetet një qendër bisnesi, me një fushë futbolli në mes.

Jemi një vend paradoksesh? Thjeshtë kështu na pëlqen… Duka tha në mes të njerëzve, se te kryeministri ka gjetur një portë të hapur, ndërkohë që në prag të rizgjedhjes së tij për të pestën herë në krye të FSHF-së, u ankua sa të këpuste shpirtin për një persekutim shtetëror, që kishte si qëllim t’ia merrte me dhunë postin ku është çimentuar. Kryeministri thuri elozhe për kompleksin e Federatës, ku dikur ka qenë klubi “Dinamo”, por jo shumë kohë më parë, Bashkia stacionoi fadroma për ta shkatëruar fare, me motivin se është një ndërtim pa leje.

Megjithatë, përveç stadiumit me kullë që u ndërtua në vend të “Qemal Stafës”, është çështje kohe për të patur impiante të ngjashëm edhe në Korçë, Durrës, apo Vlorë, por përpara se të hidhemi përpjetë si fëmijë, duhet të mendojmë se në fund, numri i stadiumeve të ndërtuara do të jetë më i madh se ai i tifozëve që pritet të ulen nëpër shkallë. Futbolli ynë është kthyer vetëm në projekte stadiumesh dhe debate studiosh, ndërsa për të shijuar entuziazmin e publikut, të paktën si në finalet e basketbollit Tirana – Besëlidhja, ndoshta duhet pritur për derbin e fundit. Kjo, sepse në pallatin modest të sportit ka filluar të luhen ndeshje të vërteta, ndërsa në futboll dënohet gjithmonë vetëm Puka.

Sfidanti.al