Pas Botërorit, forma vazhdon të jetë mjaft e mirë. E tillë gjendja e kombëtares së Zvicrës që arriti një fitore të thellë ndaj Bjellorusisë në nisje të eliminatoreve të Europianit. Mes shënuesve në suksesin 5-0 ishte dhe Granit Xhaka, ndërsa sfida u luajt në Novi Sad. Bjellorusia është nën sanksione pas agresionit rus ndaj Ukrainës, dhe për këtë arsye zgjodhi që të luante në Serbi. Në kryeqendrën e Vojvodinës, lojtari më i mirë në fushë ishte Renato Stefen që shënoi 3 gola. Madje, Stefen ishte autor i tre rrjetave të para që vendosën fatin e sfidës, në stadiumin pa spektatorë. Kapiteni Xhaka realizoi golin e katërt ndërsa i pesti ishte nga Mohamed Amduni. Helvetët edhe këtë herë ishin një skuadër e vërtetë multietnike, e përbërë nga shumë bij emigrantësh të ardhur nga Europa, Azia apo Amerika e Jugut. Në këtë mënyrë, Zvicra e nisi shumë mirë fazën eliminatore të Europianit në grupin I, ku bën pjesë edhe Kosova.
Sfidanti.al