Fernando Santos: Shqipëria është vendimtare për Poloninë!

Nuk mjaftoi vetëm disfata. Polonia po kalon ditë shumë të vështira pasi u mund bindshëm në Pragë nga Republika Çeke, ndërsa presioni më i madh është mbi trajnerin Fernando Santos. Ish-tekniku i Portugalisë e nisi keq aventurën në stolin e ri, ndërsa paralajmëron se përballja me kombëtaren tonë në Varshavë do të jetë thuajse vendimtare.

“Ndeshja ndaj Shqipërisë merr rëndësi në një situatë ku humbëm ndeshjen e parë. Ne nuk mund të përgjigjemi me zemërim. Duhet të luajmë më mirë, të jemi të fokusuar. Jam i sigurt se ekipi do të paraqitet më mirë. Do të punojmë patjetër për të kthyer besimin. Ne duhet të analizojmë atë që ndodhi, gjithashtu çfarë ishte e mirë kur kemi arritur të krijojmë raste. Kam besim se skuadra do të jetë në gjendje të përgjigjet pozitivisht”.

Polonia e Santosit u mund 1-3 në Çeki, duke u paraqitur shumë dobët, ndërsa problem tjetër është se ekipi do të ketë mungesa. Santos shqetësohet që lojtarë si Kash, Kozlovski, Bereshinski apo Piatkovski nuk do t’i ketë në dispozicion në “Stadiumin Kombëtar” të Varshavës këtë të hënë. Polonisë i duhet vetëm fitorja, ndërsa në 2021 e mundi skuadrën kuqezi të drejtuar nga Edi Reja me rezultatin 4-1.

Sfidanti.al