Gjigandët e Spanjës përballen në Katalonjë, në duel për titullin

Diferenca është e madhe, dhe sot mund të jetë shansi i fundit. E tillë gjendja në La Ligën e Spanjës në prag të duelit të sotëm mes Barcelonës dhe Realit të Madridit në “Kamp Nou”. Në orën 21:00, dy skuadrat do të dalin në fushë dhe një fitore e katalanasve mund t’i jepte fund garës për titull. Kjo, sepse skuadra e trajnerit Ksavi Hernandez kryeson kampionatin me 9 pikë epërsi ndaj madrilenëve. Vendasit do të kenë disa mungesa, mbi të gjitha atë të mesfushorit Pedri, por shumica e yjeve janë të gatshëm. Ksavi tregon se çfarë ndeshjeje pret sonte.

“Ne po përgatitemi për një ndeshje të fortë. Duam që ta dominojmë më shumë sesa sfidën e kaluar ndaj Realit. Nuk do të luajmë në mbrojtje, por që të zotërojmë topin dhe të sulmojmë. Reali është përmirësuar dhe është i paparashikueshëm. Askush nuk mund ta dijë se ç’mund të ndodhë në një “El Klasiko”.

Reali është përgatitur duke e ditur se ky “El Klasiko” është një finale e vërtetë. Në rast humbjeje, diferenca me Barçën do të ishte 12 pikë, praktikisht e pamundur për t’u rikuperuar. Për fat, trajneri Karlo Ançeloti, nuk ka probleme dëmtimesh apo pezullimesh. “Na bën punë vetëm fitorja, ndaj duhet të sulmojmë. Nuk duam të mendojmë për diferencën që kemi me Barcelonën apo për luftën për titull. Duhet të mendojmë vetëm për këtë ndeshje. Do të jemi përballë një skuadre të madhe, në një sfidë të rëndësishme. Emocionet janë shumë të forta në prag të kësaj ndeshjeje”. Barcelona kryeson La Ligën me 65 pikë ndaj 56 të Realit.

Sfidanti.al