Mbetet e pavdekshme shprehja e trajnerit Sejdini, asokohe në stolin e Dinamos: “ Edhe sikur 11 qytetarëve të zakonshëm t’u veshësh fanellën e Tiranës, Dinamo , por edhe të tjerët, kanë arsye të frikësohen..” Flitet për Tiranën e disa brezave, që arritën t’i japin këtë peshë fanellës bardheblu.
Po në ditët e sotme sa peshon fanella e Tiranës? Në një kampionat që dobësohet me sukses nga “dieta” në të cilën është futur , Tirana përsëri mbetet ekipi për t’u mundur. Nëse futbolli do të ishte pa komandë,i patredhur, pa “qeverisje rezultatesh” nga lart, askush nuk do të luste fatin që t’i vinte përballë tyre!
Por, në futbollin e sotëm, ai që mban emrat e rrejshëm Superligë apo Kupë e Shqipërisë, ku askush nuk ka frikë nga askush, ku ka kohë që ka humbur respekti për ekipin e madh, për atë që ka bërë histori. Sepse është krijuar një “histori e re”, një klasifikim “revolucionar” në Superligë dhe në Kategori të Parë, ku fitorja dhe humbja ndërrohen si me turne..pa guxuar askush të prishë radhën..
Këto ditë pritet shorti i Kupës! I asaj Kupe që ka emrin e Shqipërisë ,i asaj kupe e cila mbart një “lëng” që po ta pish, e gjen fituesin e Kupës ende pa filluar ndeshjet. Ja , përr shembull, këto ditë marsi është shfaqur presidenti i Vllaznisë, Xhaferraj dhe ka lutur “zotin” që shorti t’i vërë përballë Tiranën.Po pse Tiranën? Ngaqë kur përballen të mëdhenjtë e futbollit, ata që e shpikën dhe ata që fituan më shumë, ndofta duket sikur shijojmë të kaluarën e lavdishme..kur nuk e dinim sa do të dilnin ndeshjet!
Sfidanti.al