Komenti i gazetave ishte që jo më kot quhet Champions. Kur thua “Liga e Kampionëve”, së pari ke thënë “Real”, dhe madrilenët i respektuan sërish parashikimet. Pati interes për të parë reagimin e Liverpulit në “Santiago Bernabeu”, pas humbjes 2-5 në “Anfild”, por më shumë në fushën e lojës u dukën vendasit. Anglezët mund të jenë të çmendurit e futbollit europian, me përmbysje që mbeten në histori si ndaj Milanit apo Barcelonës, veçse ndaj Realit nuk pati magji. Jo vetëm që miqtë ishin shumë larg përmbysjes, por edhe humbën, pasi nga fundi i pjesës së dytë Karim Benzema shënoi golin e vetëm të sfidës. Një ekip mjeshtrash është në çerekfinale, dhe kampionët e Europës në fuqi presin shortin. Trajneri Karlo Ançeloti pyetet për preferencat.
“Ndeshja ishte e mirë, ne u paraqitëm siç duhet, – tha ai, – Ishim me ide të qarta dhe shumë seriozë, po ashtu e përfunduam mirë. Përsa i përket shortit, unë nuk kam preferenca. Objektivin tonë e di e gjithë bota, si gjithmonë duam që ta fitojmë Championsin, dhe për këtë duhet të kalosh çerekfinalet, gjysmëfinalen dhe pastaj të synosh të fitosh finalen”. “Shefat e Championsit, – mburret e përditshmja “Marka”, – Reali i Madridit fshin Liverpulin, vazhdon rrugën drejt trofeut të 16-të!” “Jo më kot është Championsi, – ishte komenti i gazetës tjetër të kryeqytetit, “AS”, – Madridi ishte sërish shumë superior ndaj Liverpulit!”
Sfidanti.al